Thursday, August 7, 2008

Vetëtimë
Puna njerëzore ! është flakë që ndriçon greminën time kohë më kohë.
“Asgjë nuk është kotësi ; në shkencë, përpara pra !” thërret Ekleziasti modern, domethënë njerëzia, dokushdo-ja. E prapëseprapë kufomat e të ndyrëve lëshohen mbi zemrat e të tjerëve... Ah ! pak shpejt ; atje, përtej natës, këto fitime, të nesërme, të përjetshme... i shpëtojmë ne ato?...

Ç’mund të bëj unë aty? Unë e njoh punën ; e shkenca është shumë e avashtë. Çfarë vrapi bën dëshira e drita sa gjëmon... e shikoj mirë. Është tepër e dukshme, dhe bën shumë nxehtë ; mua do më heqin qafe. Unë kam biznesin tim, për këtë do jem krenar si shumica, duke e lënë mënjanë.

Jeta ime është copë e çikë. Të shkojmë ! të shtiremi, të rrimë, o mëshirë ! Ne jetojmë duke u dëfryer, duke ëndërruar dashuritë përçudnuara dhe universet e frikshme, duke u ankuar e duke sharë pamjet e botës, akrobatin, lypsarin, artistin, kusarin, - klerikun ! Në shtratin tim të spitalit, aroma e rrëshirës më është kthyer aq e fortë ; rojtar parfumesh të shenjta, rrëfyes, martir...

Njoh këtu edukimin tim të fëlliqur të fëmijërisë. Pastaj çfarë !... Jam njëzet vjeç, nëse të tjerët janë njëzet vjeç...

Jo ! jo ! Këtë çast unë ngrihem kundër vdekjes ! Puna duket shumë e lehtë për fudullëkun tim : tradhtia ime ndaj botës do të qe një torturë shumë e shkurtër. Në çastin e fundit unë do të mësyja në të djathtë, në të majtë...
Atëherë, - oh ! – i gjori shpirti im i shtrenjtë, përjetësia nuk do të fishkej për ne !

No comments: