Thursday, September 4, 2008

Kllapitë I
Virgjëresha idiote
Bashkëshorti i ferrit


Dëgjojmë rrëfimin e një bashkudhëtari të ferrit[1] : “O Bashkëshort hyjnor, Zoti im, mos e refuzoni rrëfimin e më të pikëlluarës prej shërbëtoreve të tua. Jam e humbur. Jam e velur. Jam e ndotur. Çfarë jete!
“Më fal, Zot hyjnor, më fal ! Ah ! Më fal ! Sa lot! [2]. Dhe sa lot akoma në të ardhmen, pres!
“Në të ardhmen, unë do ta njoh Bashkëshortin hyjnor ! Unë kam lindur për t’iu nënshtruar Atij. - Tjetri mund të më godasë tani !
“Tashti, unë jam në fund të botës ! O mikeshat e mia !... jo, kurrë mikeshat e mia...Kurrë kllapi as mundime të këtij lloji Çfarë hajvani!
“Ah ! unë vuaj, ulërij. Vuaj me të vërtetë. Megjithatë, çfarëdo qoftë më është e lejuar, e mbushur me përbuzjen e zëmrave më të neveritshme.
“Në fund të fundit, lidhim këtë besë, mirato të përsëritet ajo njëzet herë të tjera, - po aq e zymtë, po aq e pakuptimtë !

“Unë jam skllavja e Bashkëshortit të ferrit, e atij që ka humbur virgjëreshat e çmendura. Është pikërisht ai demon. Nuk është një vegim, nuk është një fantazmë. Por unë që kam humbur urtësinë, që jam e dënuar dhe e vdekur në botë, - nuk do të vritem ! – Si e përshkruani ju këtë ! Unë nuk di as të flas më. Unë jam në zi, unë kam vënë kujën, unë kam frikë. Pak çlodhje, Zot, me mirësi, ju lutem!
“Unë jam vejushë... – Unë isha vejushë...[3] – posi, unë kam qenë shumë serioze dikur, dhe nuk kam lindur për t’u bërë skelet !...–Ai ishte thuajse një fëmijë... Hijeshitë e tij misterioze më kishin magjepsur. Unë harrova fare detyrën time njerëzore [4] për të ndjekur atë. Çfarë jete! Jeta e vërtetë është mungestare. Ne nuk jemi në botë. Shkoj ku shkon ai, s’bëhet ndryshe. Dhe shpesh ai shpërthen kundër meje, kundër meje, shpirti i mjerë. Demon!- Është një demon, ju e dini, nuk është një njeri.
“Ai thotë : “Unë nuk i dua femrat. Dashuria është për t’u rizbuluar, dihet. Ato pothuaj nuk mund veç të kërkojnë një pozicion të sigurtë. [5] Pozicion me leverdi, zemra e bukuria lihen mënjanë: nuk mbetet veç përbuzja e ftohtë, ushqimi i martesës në ditët tona. Ose, bukur, unë shikuakam femra, me shenjat e lumturisë, nga të cilat, unë do të kisha mundur të bëja bashkëshorte të mira, të përpira para së gjithash nga shtazët e paargasura ashtu si kërcunjtë...”
“Unë e dëgjoj atë që fabrikon prej fëlliqësisë një triumf, prej mizorisë një hir. “Unë jam nga racë e ftohtë: Stërgjyshërit e mij ishin Skandinavë : ata çponin brinjët, pinin gjakun e tyre. - Unë do të bëhem me të prera gjithkund trupit, do të bëhem me tatuazhe, dua të bëhem i lemerishëm si një Mongol : ti do të shikosh, unë do të ulërij nëpër rrugë. [6] Unë dëshiroj të bëhem me të vërtetë një i idiot i tërbuar. Mos më trego kurrë gurë të çmuar, do të kacavirresha e do të përdridhesha mbi qilima. Pasurinë time, unë do ta dëshiroja me njolla gjaku kudo. Kurrë nuk do të punoj... [7] ” Më shumë se një natë, demoni i tij më mbërthente, ne rrokulliseshim, unë luftoja me të ! – Netëve, shpesh, i dehur, ai ngjit afishe rrugëve, ose nëpër shtëpia, për të më tmerruar për vdekje. – ‘Do të më presin më të vërtetë grykën; kjo do të jetë e neveritshme.’ Oh ! ato ditë ku ai dëshiron të ecë me pamjen e krimit!
Herë pas here ai flet, me mënyrën e një dialekti të butë, për vdekjen e cila nxit pendimin, për të mjeruarit që sigurisht ekzistojnë, për punët e mundimshme, për nisjet që coptojnë zemrat. Në skutat, ku ne deheshim, ai qante duke i quajtur ato që na rrethonin, bagëtitë e mjerimit. Ai i ndihmonte të ngriheshin pijanecët në rrugët e errëta. Ai kishte mëshirën e një nëne inatçore për fëmijët e vegjël. - Largohej me mirësinë e vajzave të vogla në katekizëm. - Ai hiqej sikur të ishte i ditshëm në çdo gjë, tregti, art, mjeksi. – Unë e ndiqja atë, është e pashmangshme!
“Unë shikoja të gjithë dekorin nga i cili ai mendërisht qarkohej; roba, çarçafë, bufe: unë i huazova atij armë, një pamje tjetër. Unë shikoja çdo gjë që e habiste atë, ashtu siç do të kishte dashur ta krijonte për veten. Kur ai më dukej të kishte shpirt të mpirë, unë e gjurmoja, unë, në veprime të pazakonshme e të korkolepsura, larg, të mira ose të këqia : Unë isha i sigurtë se nuk kisha hyrë ndonjëherë në botën e tij. Pranë trupit të tij të dashur gjumash, të cilin në orët e natës e kam përgjuar, duke kërkuar pse ai aq dëshironte të arratisej nga realiteti. [8] Asnjë njeri s’pati kurrë një dëshirë të tillë. E dija, - pa u frikësuar për të, - se ai mund të ishte një rrezik serioz në shoqëri. – Ai zotëron ndoshta sekretet për të ndryshuar jetën? Jo - ai nuk bën veç kërkon nga këto gjëra, replikoja unë. Megjithatë dashamirësia e tij është magjepsje, dhe unë jam e burgosura e saj. Asnjë shpirt tjetër nuk do të kishte aq forcë, - forcën e dëshpërimit ! – për ta mbajtur atë, - për të qenë i mbrojtur dhe i tërhequr prej tij. Nga ana tjetër, unë nuk e përfytyroja atë me një shpirt tjetër : shikohet Engjëlli i tij, kurrë Engjëlli i një tjetri, - besoj unë. Isha në shpirtin e tij si në një pallat që e kanë boshatisur për të mos parë një person aq pak fisnik si ty: Kjo është e gjitha. Medet! Unë varesha krejtësisht prej tij. Por çfarë donte të bënte ai me ekzistencën time të murrëtyer e burracake? Ai nuk më bënte më të mirë, nëse nuk më bënte të vdisja! I fyer keqas, unë i thosha ndonjëherë : “Unë të kuptoj.” Ai ngrinte supet.
“Kështu, duke m’u rigjallëruar tortura ime pareshtur, duke më bërë më të humbur në sytë e tij, - si në të gjithë sytë që do kishin dashur të më fiksonin, nëse unë s’qeshë ndëshkuar përgjithmonë me harrimin e të gjithëve ! - unë kisha gjithnjë e më shumë uri për mirësinë e tij. Me përkëdheljet e përqafimet e tij miqësore, ishte një qiell i sigurtë, një qiell gri, ku unë hyja, e ku unë do kisha dashur të harrohesha, i mjerë, i shurdhër, pagojë, i verbër. Tashmë këtë po e bëja zakon. Shikoja veten dhe atë si dy fëmijë të mbarë,[9] të lirë që shëtisnin në Parajsën e trishtimit. Ne ishim në harmoni. Shumë të mallëngjyer ne punonim sëbashku. Por, pas një përkëdhelje therëse, ai thoshte : “Kështu do të duket e çuditshme, kur unë nuk do të jem më këtu, ajo që ti ke kaluar. Kur nuk do të kesh më krahët e mij nën qafën tënde, as zemrën time për t’u çlodhur aty, as këtë gojë mbi sytë e tu. Sepse lipset që unë të iki prej këtu, shumë larg, një ditë. Për më tepër me këtë duhet të ndihmoj ca të tjerët: kjo është detyra ime. Edhe pse kjo mos të jetë fare joshëse..., shpirt i shtrenjtë ...’ Në çast unë parandjeva, i larguar, viktimë e kapardisjes, i lëshuar në errësirën më të kobshme : vdekjen. E bëja atë të më premtonte se nuk do të më braktiste. E bëri të paktën njëzet herë, këtë premtim të dashuri. Kjo ishte po aq e përciptë sa ajo kur më thoshte : “Unë të kuptoj.”
“Ah! unë s’kam pasur kurrë xhelozi për të. Ai nuk do të më braktisë kurrë, besoj. Çdo të bëhet ? Ai nuk ka një dije.[10] Ai nuk do të punojë kurrë. Ai dëshiron të jetojë i përhënët. Vetëm, mirësia e tij e shpirtbutësia e tij a do mund t’i japim të drejtën në botën reale atij ? Herë, herë, unë harroj poshtërimin ku kam rënë : ai do të më bëjë të fortë, ne do të udhëtojmë, ne do të gjuajmë në shkretëtira, ne do të flejmë mbi kalldrëmet e qyteteve të panjohur, shkel-e-shko, lirshëm. Ose unë do të zgjohem, dhe kodet, zakonet do të kenë ndryshuar, - falë fuqisë së tij magjike, - bota duke mbetur e njëjta, do më lejë në dëshirat, ëndjet, moskokëçarjet e mia. Oh ! jeta e aventurave që ekziston në librat e fëmijëve, për të më shpërblyer, unë kam vuajtur aq shumë, do ma japësh ti atë ? Ai nuk mund. Unë e shpërfill idealin e tij. Ai më ka thënë për të pasur pendime, shpresë: kjo nuk duhet të më mbikëqyrë. Flet ai me Zotin? Ndoshta unë do duhej t’i adresohesha Zotit. Unë jam në fund të humnerës, dhe nuk di më të lutem.
“Nëse më fliste për brengat e tij, - do t’i kuptoja unë ato më shumë se talljet e tij? Ai më sulmon, kalon orë për të më bërë të turpërohem për gjithë atë që ka mundur të më dëmtojë përpara njerëzve, dhe më neverit nëse unë qaj.
“- Ti e shikon këtë djalosh elegant, duke hyrë në shtëpinë e bukur e të qetë : ai quhet Dyval, Dyfur, Armand,, Moris, ku ta di unë?
Një grua i është përkushtuar dashurisë së këtij idioti të mbrapshtë : ajo ka vdekur, është sigurisht një shenjtore në qiell, tani. Ti do të më bësh të vdes ashtu si ai ka bërë të vdesë atë femër. Është fati ynë që na bie ne, zemrave të mëshirshme...” I mjeri unë! Kishte ditë ku të gjithë njerëzit që lëviznin i dukeshin atij lojëra të kllapive absurde! Ai qeshte frikshëm, gjatë. – Pastaj, ai rifitonte sjelljet e tij të nënës së re, të motrës së dashur. Nëse ai ishte më pak i egër, do të ishim të shpëtuar! Por ëmbëlsia e tij është gjëmëmadhe. Unë i jam nënshtruar atij. – Ah unë jam e çmendur !
“Një ditë ndoshta ai do të zhduket mrekullisht ; por duhet që unë të di, nëse ai do të ngjitet në një qiell, që unë të shikoj pak “assomption” të mikut tim të vogël.
Dyshe komike !

Shënime:
[1] Në këtë tekst kemi një zhvendosje mitike të kompleksit dhe raportit satanik që bashkonte R. ( bashkëshorti i ferrit ) dhe Vërlenin (virgjëresha idiote) e që na jep këtu një përmasë të saktë të dobësisë patologjike të Vërlenit, të gjendjes së tij të varësisë nga ky adoleshent diabolik, të përçmimit të R. për bashkudhëtarin e tij të ferrit, të dhunës së tërbuar të sharjeve të tyre e të butësisë së ngazëllyer të pajtimeve të tyre.
[2] Sa lot...: Virgjëresha idiote shpreson se lotët e saj në të ardhmen s’do të derdhen për të dashurin e saj të ferrit por për pendimin dhe brejtjet e ndërgjegjes.
[3] Aluzion për ndarjen e Vërlenit nga gruaja.
[4] detyrën time njerëzore: ardhja e R. shkatërroi bërthamën familjare të Vërlenit, që harroi çdo detyrë babai e burri.
[5] një pozicion të sigurt: aluzion i përçmimit të tij për femrat.
[6] E dimë si Rembo ndjente të rridhte në venat e tij gjaku barbar i Galëve (lexo Gjaku i keq)
[7] Kurrë nuk do të punoj: R. Ka manifestuar shumë herë në veprën e tij përçmimin e thellë që ushqente kundrejt punës.
[8] Të arratisej nga realiteti: ishte fundi që R. vazhdonte me tentativën e tij të “tejpamësit” si ajo (për të ndryshuar jetën) që e gjejmë pas disa rreshtash.
[9] Dy fëmijë të mirë: ëndërra e dëlirësisë së humbur mundonte si R., ashtu edhe Vërlenin.
[10] Ai nuk ka një dije: R. mbështetej gjithmonë te Vërleni që të futej në botën letrare parisiane.