Saturday, August 23, 2008

Dikur
Dikur, nëse më kujtohet mirë, jeta ime ishte një gosti ku hapeshin gjithë zemrat, ku derdheshin gjithë verërat.

Një mbrëmje, e ula Bukurinë mbi gjunjët e mi. - E gjeta atë të hidhur. - Dhe e fyeva atë. Isha armatosur kundër arësyes. Kisha krisur me vrap. O magjistarë, o mjerim, o ligësi, Juve ju besua thesari im ! Ia dola mbanë që të bëja të errësohetnë shpirtin tim gjithë shpresa njerëzore. Përmbi çdo gëzim për ta mbytur atë unë sajova brofjen e shurdhët të shtazës gjakatare. Unë kam thirrur xhelatët për, duke vdekur, për të tërhequr dorezën e pushkëve të tyre. Kam thirruar mallkimet, që të më zënë frymën me rërë, me gjak. Fatkeqësia ka qenë zoti im. Unë jam shtrirë në baltë. Jam tharë në ajrin e krimit. Kam kurdisur goxha rrengje deri në marrëzi. Dhe pranvera më ka sjellë qeshje të neveritshme idioti.

Mirpo, gjithë kohët e fundit i gjendur në çastin e bërjes së krrok-krrok-ut të fundit ! Unë kam ëndërruar të rigjej çelsin e banketit të vjetër, ku do të rifitoja ndoshta oreksin. Shpirtbutësia është ky çelës. - Ky frymëzim provon që unë kam ëndërruar!

“Ti do të mbetesh hienë, etj...” gulçon demoni që më kurorëzoi me lulëkuqet aq tërheqëse.
“Fito vdekjen me të gjithë orekset e tua, dhe egoizmin tënd e me gjithë mëkatet e mëdha.”
Ah! kam rrokur shumë prej tyre : - Por, i dashur Satan, unë ju përgjërohem, një ninëz më pak të mërzitur ! dhe duke pritur me vonesë ca ligështi të papërfillshme, juve që pëlqeni mungesën e aftësive përshkruese ose udhëzuese, unë do t’ju heq nga ca fletë të lemerishme të bllokut tim të mallkuar.

Saturday, August 9, 2008

E pamundura

Ah! kjo jete e fëmijërisë sime, rruga e madhe gjithë kohën, i kthjellët në mënyrë magjike, më i çinteresuar se më i vërteti i lypsave, krenar për të mos pas as atdhe, as miq, çfarë gomarllëku ishte. - Dhe unë e konstatoj këtë ekzaktësisht !

Unë kam pasur arësye për të përçmuar këto bablokë që nuk do të humbisnin rastin e një ledhatimi, parazitë të pastërtisë e të shëndetit të femrave tona, sot që ato janë aq pak në një mëndje me ne. Unë kam pasur arësye në të gjitha përçmimet e mija: meqë unë shpëtoj!

Unë shpëtoj!

Jam i qartë.

Dje përsëri, unë psherëtija : "Qiell ! jemi aq të mallkuar këtu poshtë ! Unë, unë kam kaq shumë kohë tashmë në grupin e tyre ! Unë i njoh të gjithë ata. Ne përshëndetemi vazhdimisht; ne rebelohemi, neveritim njëri tjetrin. Mëshirimin e kemi të mugët. Por ne jemi të qytetëruar; marrëdhëniet tona me botën janë shumë të volitshme". Është kjo e habitshme ? Bota ! tregtarët, leshkot ! - Ne nuk jemi të çnderuar. - Por të zgjedhurit, si do të na pranojnë ata ne? Mirpo ka njerëz grindavecë e plot gaz, të zgjedhur të rremë, aq sa na duhet burrëri ose butësi për t'iu afruar atyre. Këto janë të vetmit të zgjedhur. Këta nuk janë lajkatarë !

Duke e gjetur veten me dy grosh mend - kjo shkon fët-e-fët ! - unë vërej se andrallat e mia vijnë për mos të më ekspozuar aq të parakohshëm nga ç'jemi ne në Perëndim. Moçalet perëndimore! Jo se unë ta imagjinoj dritën të shfytyruar, figurën të rraskapitur, lëvizjen të drobitur...Mirë ! Ja që shpirti im dëshiron pa tjetër të marrë përsipër çdo zhvillim të egër që ka mbajtur shpirti që prej fundit të Lindjes...I kërkon ato, shpirti im !

Dy groshët e mendjes kanë sosur ! Shpirti është autoritet, Ai kërkon që unë të jem në Perëndim. Do të duhej ta bëja atë të heshtë për të vendosur siç do më pëlqente mua.

Unë i bëja lanet palmat e martirve, rrezet e artit, fodullëkun e shpikësve, vrullin e grabitësve; unë rikthehesha në Lindje dhe në urtësinë fillestare e të përjetëshme. - Duket se kjo është një ëndërr përtacie vulgare !

Megjithatë, unë nuk mendoja aspak për kënaqësinë e arratisjes nga andrallat e kohës. unë nuk kisha parasysh mençurinë surrogate të Kuranit. - Por nuk ka një torturë të vërtetë në atë që, qysh nga kjo shpallje e dijes, kristianizmit, njeriu tallet, provon faktet, fryhet nga kënaqësia për të përsëritur këto prova, dhe nuk pa se në ç'mënyrë e gjithë kjo? Torturë të mprehtë, të marrë; burim i përçartjeve të mia shpirtërore. Natyra do të mërzitej, ndoshta ! Këshilli i Prud'homme ka lindur me Krishtin.

A nuk vjen kjo ngaqë ne lëvrojmë mjegullën? Ne hamë ethet me zarzavatet tona të qullëta. Dhe dehjen! dhe marihuanën! dhe verbërinë! dhe devotshmëritë! - E gjithë kjo a është mjaft larg nga mendimi dhe mençuria e Lindjes, atdheu i hershëm ? Përse një botë moderne, nëse të njëjtët helme shpiken!

Njerëzit e Kishës do të thonë: Kjo kuptohet. Por ju doni të flisni për Edenin. Asgjë për ju në historinë e popujve të lindjes, - Kjo është e vërtetë; Unë mendoja për Edenin! Çfarë është kjo për ëndërrën time, kjo dlirësi e racave të lashta!

Filozofët: Bota s'ka moshë. Njerëzimi lëviz, me thjeshtësi. Ju jeni në Perëndim, por i lirë të jetojë në Lindjen tuaj, ndonjë i moshuar që ju ta falimentoni, - e për të rrojtur mirë aty. Mos të jini një i mundur. Filozofë, ju jeni për Perëndimin tuaj.

Shpirti, im hap sytë. Jo vendime për shpëtim të dhunshëm. Stërvitu ! - Ah ! Shkenca nuk ecën aq shpejt për ne !

-Por unë ve re që shpirti im po fle.

Nëse ai do të ishte gjithmonë si duhet syçelur që prej këtij çasti, ne do ishim shpejt tek e vërteta, që ndoshta na rrethon me engjëjt e saj që dënesin !... – Nëse ai do të kishte qenë syçelur deri në këtë çast, prej kësaj unë s'do kisha hequr dorë nga instinktet e helmuara, në kohërat që s'mbahen mend !... Nëse ai gjithmonë kishte qenë syçelur si duhet, unë do të udhëtoja plot maturi !...

O dlirësi ! dlirësi !

Është ky çast zgjimi që më ka dhënë vegimin e dlirësisë ! - Nëpërmjet shpirtit shkohet te Zoti !

Fatkeqësi pikëlluese !

Friday, August 8, 2008

Lamtumirë
Vjeshtë, tashmë ! - Por pse të vajtosh një diell të përjetshëm, nëse jemi të përfshirë në zbulimin e ndriçimit hyjnor, larg njerëzve që vdesin stinëve.

Vjeshtë. Anija jonë që ngrihet në mugëtirën e heshtur rrotullohet drejt portit të ankthit, qyteti i bujshëm me qiellin plot njolla zjarri e balte. Ah ! zhele të kalbura, bukë e lagur nga shiu, dehje, mijra dashuri që më kanë torturuar ! Ajo s'do t'i japë fund pra aspak kësaj mbretëreshe të kobshme të miliona shpirtrave e trupave të vdekur që do të gjykohen !

Unë e përfytyroj lëkurën të çarë nga balta e nga fatkeqësia, krimba gjithë push e sqetulla dhe akoma, veç kësaj, krimba të mëdhej në zemër, shpalosur midis të panjohurish pa moshë, gjithmonë të rinj, pa ndjesi... Unë do të kisha vdekur aty... përjetim i lemerishëm ! E mallkoj mjerimin.


Unë druaj dimrin sepse është stina e rehatisë!

Nganjëherë unë shikoj në qiell plazhe pa fund mbuluar nga popuj të bardhë të gëzuar. Një vaporr i madh ari, lart meje, tund flamurët shumëngjyrësh nën flladin e mëngjesit. Kam krijuar të gjitha festat, të gjitha ngadhënjimet, të gjitha dramat. Kam provuar të shpik lule të reja, yje të rinj, trupa të rinj, gjuhë të reja. Kam besuar të kap pushtetet e padukshëm. Pra! Unë duhet të gropos përfytyrimin tim e kujtimet e mija!

Një lavdi e shkëlqyer artisti dhe tregimtari gjaknxehtë !

Unë ! unë që i kam thënë vetes magjistar a engjëll, i çveshur nga çdo moral, unë jam bërë baltë, me një detyrë për të rrëmuar, dhe realiteti maja-maja për t'u rrokur! I pagdhendur!

Jam mashtruar? mëshirimi do të ishte motra e vdekjes, për mua ?

Në fund të fundit, unë do të kërkoja ndjesë për të ushqyerit me gënjeshtra. E hajt. Ndonëse pa një dorë mike ! e ku të marrësh ngushëllim ?

Po ora e re është të paktën shumë torturuese.

Sepse unë mund të them që fitorja më është e padiskutueshme: kërcëllimat e dhëmbëve, fishkëllimat e zjarrit, psherëtimat kutërbuese zbuten.

Të gjitha kujtimet e neveritshme fshihen. Pendimet e mija të fundit zhduken, - zilitë për parazitët, kusarët, miqtë e vdekjes, të pashlyerat e çdo lloji. - Të dreqosurit, nëse unë hakmerresha !

Duhet të jesh tërësisht modern.

Pa himne: me hap fitimtar. Ruaj natën ! gjaku i etur nxjerr tym mbi fytyrën time e unë s'kam asgjë pas meje, veç këtij shkorreti të frikshëm !... Beteja shpirtërore është po aq shtazore sa dhe beteja njerëzore; por këndvështrimi i drejtësisë është privilegji i Zotit vetëm.

Megjithatë kjo është vigjilja. Marrim çdo fluks energjije dhe shpirtmirësie të vërtetë. Dhe në agim, të armatosur me një këmbëngulje të zjarrtë, do hyjmë në qytetet madhështore.

Çfarë flisja unë për dorë mike ! Një epërsi e këndshme, për këtë mund të qesh me dashuritë e vjetra mashtruese, e të fshikulloj me turp këto çifte mburravecësh, - unë kam parë ferrin e femrave këtu; e do të
ishte e mundur për mua që të zotëroja të vërtetën e një shpirti dhe një trupi.

Thursday, August 7, 2008

Vetëtimë
Puna njerëzore ! është flakë që ndriçon greminën time kohë më kohë.
“Asgjë nuk është kotësi ; në shkencë, përpara pra !” thërret Ekleziasti modern, domethënë njerëzia, dokushdo-ja. E prapëseprapë kufomat e të ndyrëve lëshohen mbi zemrat e të tjerëve... Ah ! pak shpejt ; atje, përtej natës, këto fitime, të nesërme, të përjetshme... i shpëtojmë ne ato?...

Ç’mund të bëj unë aty? Unë e njoh punën ; e shkenca është shumë e avashtë. Çfarë vrapi bën dëshira e drita sa gjëmon... e shikoj mirë. Është tepër e dukshme, dhe bën shumë nxehtë ; mua do më heqin qafe. Unë kam biznesin tim, për këtë do jem krenar si shumica, duke e lënë mënjanë.

Jeta ime është copë e çikë. Të shkojmë ! të shtiremi, të rrimë, o mëshirë ! Ne jetojmë duke u dëfryer, duke ëndërruar dashuritë përçudnuara dhe universet e frikshme, duke u ankuar e duke sharë pamjet e botës, akrobatin, lypsarin, artistin, kusarin, - klerikun ! Në shtratin tim të spitalit, aroma e rrëshirës më është kthyer aq e fortë ; rojtar parfumesh të shenjta, rrëfyes, martir...

Njoh këtu edukimin tim të fëlliqur të fëmijërisë. Pastaj çfarë !... Jam njëzet vjeç, nëse të tjerët janë njëzet vjeç...

Jo ! jo ! Këtë çast unë ngrihem kundër vdekjes ! Puna duket shumë e lehtë për fudullëkun tim : tradhtia ime ndaj botës do të qe një torturë shumë e shkurtër. Në çastin e fundit unë do të mësyja në të djathtë, në të majtë...
Atëherë, - oh ! – i gjori shpirti im i shtrenjtë, përjetësia nuk do të fishkej për ne !
Mëngjesi
Nuk pata unë një herë një rini të bukur, heroike, përrallore, për të shkruar mbi gjethe të arta, - shumë udhë ! Prej çfarë prapësie, prej çfarë gabimi, kam merituar ligështinë time të tashme? Ju që mendoni se kafshët lëshojnë dënesa hidhërimi, të sëmurët dëshpërohen, të vdekurit ëndërrojnë mundime, përpiquni të rrëfeni rrëzimin time e gjumin tim. Unë për vete, nuk mund të qartësoj përveçse lypsarin me “Pater dhe Ave Maria ” e tij të pandërprerë. Nuk di të flas më !

Megjithatë, sot, unë besoj se ka përfunduar lidhja ime me ferrin. Ishte ferr i vërtetë ; I vjetri, ai të cilit biri i njeriut i hapi portat.

E njëjta shkretëtirë, në të njëjtën natë, gjithmonë sytë e mijë të lodhur hapen në yllin e argjendtë, pa pasur mall për Mbretërit e jetës, tre magjistarët, zemrën, shpirtin, intelektin.
Kur do shkojmë ne, përtej ranishtave e maleve, për të përshëndetur fillimin e punës së re, urtësinë e re, arratinë e tiranëve dhe demonëve, fundin e paragjykimit, për të adhuruar - të hershmet ! – Krishtlindjen mbi tokë !

Këngën e qiejve, parakalimin e popujve ! Skllevërit nuk e mallkojnë jetën.