Ah! kjo jete e fëmijërisë sime, rruga e madhe gjithë kohën, i kthjellët në mënyrë magjike, më i çinteresuar se më i vërteti i lypsave, krenar për të mos pas as atdhe, as miq, çfarë gomarllëku ishte. - Dhe unë e konstatoj këtë ekzaktësisht !
Unë kam pasur arësye për të përçmuar këto bablokë që nuk do të humbisnin rastin e një ledhatimi, parazitë të pastërtisë e të shëndetit të femrave tona, sot që ato janë aq pak në një mëndje me ne. Unë kam pasur arësye në të gjitha përçmimet e mija: meqë unë shpëtoj!
Unë shpëtoj!
Jam i qartë.
Dje përsëri, unë psherëtija : "Qiell ! jemi aq të mallkuar këtu poshtë ! Unë, unë kam kaq shumë kohë tashmë në grupin e tyre ! Unë i njoh të gjithë ata. Ne përshëndetemi vazhdimisht; ne rebelohemi, neveritim njëri tjetrin. Mëshirimin e kemi të mugët. Por ne jemi të qytetëruar; marrëdhëniet tona me botën janë shumë të volitshme". Është kjo e habitshme ? Bota ! tregtarët, leshkot ! - Ne nuk jemi të çnderuar. - Por të zgjedhurit, si do të na pranojnë ata ne? Mirpo ka njerëz grindavecë e plot gaz, të zgjedhur të rremë, aq sa na duhet burrëri ose butësi për t'iu afruar atyre. Këto janë të vetmit të zgjedhur. Këta nuk janë lajkatarë !
Duke e gjetur veten me dy grosh mend - kjo shkon fët-e-fët ! - unë vërej se andrallat e mia vijnë për mos të më ekspozuar aq të parakohshëm nga ç'jemi ne në Perëndim. Moçalet perëndimore! Jo se unë ta imagjinoj dritën të shfytyruar, figurën të rraskapitur, lëvizjen të drobitur...Mirë ! Ja që shpirti im dëshiron pa tjetër të marrë përsipër çdo zhvillim të egër që ka mbajtur shpirti që prej fundit të Lindjes...I kërkon ato, shpirti im !
Dy groshët e mendjes kanë sosur ! Shpirti është autoritet, Ai kërkon që unë të jem në Perëndim. Do të duhej ta bëja atë të heshtë për të vendosur siç do më pëlqente mua.
Unë i bëja lanet palmat e martirve, rrezet e artit, fodullëkun e shpikësve, vrullin e grabitësve; unë rikthehesha në Lindje dhe në urtësinë fillestare e të përjetëshme. - Duket se kjo është një ëndërr përtacie vulgare !
Megjithatë, unë nuk mendoja aspak për kënaqësinë e arratisjes nga andrallat e kohës. unë nuk kisha parasysh mençurinë surrogate të Kuranit. - Por nuk ka një torturë të vërtetë në atë që, qysh nga kjo shpallje e dijes, kristianizmit, njeriu tallet, provon faktet, fryhet nga kënaqësia për të përsëritur këto prova, dhe nuk pa se në ç'mënyrë e gjithë kjo? Torturë të mprehtë, të marrë; burim i përçartjeve të mia shpirtërore. Natyra do të mërzitej, ndoshta ! Këshilli i Prud'homme ka lindur me Krishtin.
A nuk vjen kjo ngaqë ne lëvrojmë mjegullën? Ne hamë ethet me zarzavatet tona të qullëta. Dhe dehjen! dhe marihuanën! dhe verbërinë! dhe devotshmëritë! - E gjithë kjo a është mjaft larg nga mendimi dhe mençuria e Lindjes, atdheu i hershëm ? Përse një botë moderne, nëse të njëjtët helme shpiken!
Njerëzit e Kishës do të thonë: Kjo kuptohet. Por ju doni të flisni për Edenin. Asgjë për ju në historinë e popujve të lindjes, - Kjo është e vërtetë; Unë mendoja për Edenin! Çfarë është kjo për ëndërrën time, kjo dlirësi e racave të lashta!
Filozofët: Bota s'ka moshë. Njerëzimi lëviz, me thjeshtësi. Ju jeni në Perëndim, por i lirë të jetojë në Lindjen tuaj, ndonjë i moshuar që ju ta falimentoni, - e për të rrojtur mirë aty. Mos të jini një i mundur. Filozofë, ju jeni për Perëndimin tuaj.
Shpirti, im hap sytë. Jo vendime për shpëtim të dhunshëm. Stërvitu ! - Ah ! Shkenca nuk ecën aq shpejt për ne !
-Por unë ve re që shpirti im po fle.
Nëse ai do të ishte gjithmonë si duhet syçelur që prej këtij çasti, ne do ishim shpejt tek e vërteta, që ndoshta na rrethon me engjëjt e saj që dënesin !... – Nëse ai do të kishte qenë syçelur deri në këtë çast, prej kësaj unë s'do kisha hequr dorë nga instinktet e helmuara, në kohërat që s'mbahen mend !... Nëse ai gjithmonë kishte qenë syçelur si duhet, unë do të udhëtoja plot maturi !...
O dlirësi ! dlirësi !
Është ky çast zgjimi që më ka dhënë vegimin e dlirësisë ! - Nëpërmjet shpirtit shkohet te Zoti !
Fatkeqësi pikëlluese !
No comments:
Post a Comment