Hyrje
Një Stinë në Ferr është e vetmja vepër që Artur Rembo e ka publikuar vetë dhe vendoset në një periudhë të brengosur të jetës së tij. Ajo u fillua në prill 1873 me kthimin e tij nga Anglia kur lidhja e tij me Pol Vërlenin nisi të bëhej e mërzitshme, dhe u mbarua në gusht pas prishjes së tyre përfundimtare. Ai rrëfen vuajtjet e tij të përafërta me çmendurinë, që e çuan atë në portat e vdekjes, disfata e eksperiencës së tij të poetit vegimtar (Profet, vizionar). Ai flet për zhgënjimet e tij, për dyshimet e tij por edhe për shpresat e tij.
Arturi kthehet në Rosh në prill 1873 dhe në maj i shkruan mikut të tij Ernest Delahe: “[...] Unë shkruaj histori të shkurtra në prozë, titulli i zakonshëm ; libri pagan, ose libri zezak. Është harbut , kafshëror e i padjallëzuar. O pafajësi ! pafajësi, pafajësi, pafa..., mallkim![...] Unë jam llahtarisht i shqetësuar. Asnjë libër, asnjë kabare për mua, asnjë bela në rrugë. Çfarë lemerie ky fshat francez. Fati im varet nga ky libër, për të cilin një gjysmë-duzine historish pikëlluese janë akoma për t’u trilluar. Si t’i shpikësh mizoritë këtu ! Unë nuk të dërgoj histori, ndonëse kam tashmë tre nga ato, kjo kushton sa qimet e kokës ! Më në fund , ja![...]
Fundi i majit, ai takon Verlenin dhe të dy rinisen për Belgjikë pastaj për Angli ku qëndrojnë deri në korrik. Mbas një grindje të ashpër Vërleni me 3 korrik e lë Rembo-në për t’u nisur në Bruksel, me shpresën që më në fund të pajtohet me gruan. Rembo e takon atë atje me datën 8, dhe me 10, kur ai kërkon patjetër të niset për Paris, Verleni shtien mbi të dy herë me revolver. Për këtë veprim ai do të bëjë dy vjet burgim. Sa për Arturin, i plagosur lehtë në kyçin e dorës, ai kthehet në Rosh me 20 korrik, pas disa ditë mjekimesh në spital. Patern Berriko tregon, sipas kujtimeve të gruas së tij Isabel Rembo, i sapo kthyer, pa i’u përgjigjur fjalëve të mirëseardhjes, Arturi plandoset mbi një karrige në një krizë rënkimesh duke përsëritur : “O Vërlen !... Vërlen”. Ai mbaron atë që do të bëhet Një Stinë në Ferr, i mbyllur brenda në një hambar bashkë me dëshpërimin e tij, në vajtime, thumbime, kriza zemërimi e mallkimesh. Arturi siguron nga mamaja e tij një shpërblim për publikimin e librit të tij.
Kjo duke mos marrë vesh asgjë nga leximi i dorëshkrimit e pyeti atë : Çfarë ke dashur të thuash ?. “Unë kam dashur të them atë që ajo thotë, germë për germë dhe në çdo kuptim” i’u përgjegj ai.
Libri u publikua në tetor te tipografi belg Zhak Pot e Sie, dhe Arturi rivendoset në Bruksel për të marrë dorëzimin e kopjeve të autorit. Prej tyre ai ndan mënjanë një kopje kushtuar administratës së burgut Karmet e Vogla për Vërlenin. I dhuron një Delahe-së, një Millot-it, mik tjetër i Sharlëvilit dhe i dërgon 3 ose 4 Forenit për vete (Jean-Louis Forain, 1852, 1931, piktor, desinjator dhe gdhendës francez; kronist satirik i jetës parisiane). Ai kthehet gjithashtu në Paris, por është i paraprirë nga nami i tij dhe përfolja e Brukselit dhe disa nga relacionet e tij të vjetra do t’i rëndojnë mbi kurriz.
I kthyer në Rosh, gjithë krupë, ai djeg në oxhak kopjet e fundit që i mbetën, ndërsa dokumentet dhe skicat, në prani të nënës dhe motrës së tij Isabel. Duke mos pas paguar tipografin, pesëqind kopje të tjera do të gjendeshin në vitin 1901 në magazinën e tipografit, nga Leon Losò, një studiues belg.